8b9d857c-7cc7-4ed5-80a9-6947f00d9cc6

Marrëveshja e pensioneve Itali-Shqipëri. Ja, procedurat që duhen ndjekur

Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të hyjë në fuqi dhe nis nga zbatimi në muajin qershor. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe një numër i lartë shtetasish italianë.

Në një intervistë për ATSH-në, Tresjana Elmazi, përfaqësuese e UIM Albania tha se nga marrëveshja përfitojnë të gjitha ata persona që kanë kontribute të sigurimeve shoqërore si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali.

“Marrëveshja e pensioneve Shqipëri – Itali është një marrëveshje që të gjitha ata qytetarë të cilët kanë jetuar në Itali ose janë rikthyer ose janë ende atje të kenë mundësi, në rast se nuk kanë vite mjaftueshëm për të plotësuar pragun në Itali 20 vite apo në Shqipëri 15 vite për të marrë një pension minimal, mund të mbledhin të dyja përvojat e tyre të punës në të dyja vendet për të përfituar ‘pro-rata’ siç quhet metoda e përllogaritjes së viteve për të dyja vendet. Nëse një person ka 10 vite në Shqipëri dhe 10 vite të tjera në Itali, këto vitet bashkohen, por qytetari do të marrë proporcionalisht aq sa ka derdhur kontribute në secilin prej vendeve”, tha Elmazi.

Ajo shtoi se “marrëveshja pritet të hyjë në fuqi një muaj pas shkëmbimit të akteve të ratifikimit mes dy vendeve nga muaji qershor.

Sipas saj, “për pensionin italian, ne kemi akses të drejtpërdrejtë te Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Itali (INPS) që mund t’i bëjmë nxjerrje dhe verifikim të kontributeve që personi ka derdhur në Itali.

“Për pjesën shqiptare mund të hyjmë në e-Albania dhe të bëjmë verifikimin. Domethënë mund t’i ndjekim ne të dyja proceset. Dokumentacioni që kërkohet për Italinë janë dokumentet italiane në qoftë se ata kanë pasur leje qëndrimi (permesso di soggiorno) duke qenë se Italia kontributet i ka të digjitalizuara siç i kemi ne pas vitit 2012. Mjafton që ne si zyrë sociale konsulence (patronato) të hyjmë me kodin fiskal që është si numri jonë personal këtu dhe bëjmë verifikimin e viteve atje. Për Shqipërinë normalisht do të nevojitet libreza e punës, çfarëdo lloj dokumenti që vërteton përvojën e tyre këtu. Normalisht edhe dokumentet shqiptare sepse duhet të hyjmë në e-Albania për të bërë kërkesën dhe verifikimet për pjesën para vitit 2012”, theksoi Elmazi.

Sipas saj, kanë qenë të shumtë personat që kanë shfaqur interes në zyrat e UIM Albania për të mësuar sesi funksionon kjo marrëveshje.

“Ka shumë qytetarë që janë të interesuar. Interesi është i lartë po dhe ne jemi të gatshëm që t’i vijmë në ndihmë qoftë me informacionet që është duke u ndjekur praktikat sepse janë mosha të mëdha e kanë të vështirë dixhitalizimin”, tha ajo.

Elmazi tha se fillimisht do të merren dy pensione. “Përsa i përket pjesës italiane do të merren dy pensione fillimisht, INPS-i do të sjellë pjesën e vet, ndërsa ISSH-ja do të sjelli pjesën e vetë. Italia do ta bëjë këtë gjë nëpërmjet një transferte në llogarinë bankare të personit. Në qoftë se personi jeton në Shqipëri, nëse ka dalë që tani në pension në Shqipëri mund të kërkojë edhe atë italianin dhe do t’i vijë në llogarinë e tij bankare si një transfertë më vete”.

Përfaqësuesja e UIM Albania theksoi në intervistën për ATSH se pensioni italian nuk do t’i bashkangjitet pensionit në Shqipëri, por do të jetë më vete. “Edhe përllogaritja do të jetë e veçantë. Domethënë nuk do të ndikojë në shumën që merr nga secila nga vendet. E njëjta gjë edhe nëse personi jeton në Itali. Në momentin që bëhet kërkesa për pension, personi do të japë edhe llogarinë bankare në mënyrë që INPS-i ose ISSH-ja të bëjnë derdhjen e pensionit çdo muaj”, tha ajo.

“Në këtë fazë nuk e nisin dot aplikimin për arsye sepse nuk ka hyrë në fuqi marrëveshja dhe në momenti që do të hyjë në fuqi INPS-i italian do të krijojë një hapësirë të veçantë vetëm për marrëveshjen, e ka krijuar që tani në fakt, por do të jetë më e aplikueshme që të hyjnë qytetarët që të bëjnë aplikimin”, shtoi ajo.

“Italia ka një shumë të caktuar që pensioni nuk taksohet, domethënë kjo do të shihet më pas në varësi të vlerës se sa do të përllogaritet pensioni i tyre. Zyra sociale konsulence (patronati) nuk ka pagesë, as për pensionin shqiptar, as për pensionin italian. Procedurat, aplikimi, ndjekja, dokumentacioni, çdo gjë që ne bëjmë nga fillimi deri në fund është pa pagesë”, thekson Elmazi për ATSH.

“Ata që jetojnë në Itali duke qenë se janë të pajisur me Spid i cili është ai që i mundëson të hyjnë në INPS e kanë më të thjeshtë. Ndërsa për shqiptarët të cilët janë kthyer e kanë pak më të vështirë sepse mund të ketë kaluar shumë kohë, mund të kenë vetëm leje qëndrimi e kanë të vështirë të aksesojnë INPS-in. Në këtë rast jemi ne që ju vijmë në ndihmë, të jenë të qetë nga kjo pjesë. Në Tiranë kemi zyrën kryesore pastaj në qytete të tjera si në Durrës, në Vlorë, në Lezhë kemi sportele ku qytetarët mund të drejtohen për të marrë informacion apo për të ndjekur procedurat”, thekson Elmazi.

“Shtetasit italianë vijnë në Shqipëri pasi siç e dimë pensioni këtu nuk taksohet dhe vijnë në Shqipëri sepse ata kanë pensione të lartë atje dhe taksimi është shumë i lartë, normalisht vijnë këtu që të ndjekin të gjithë këtë procedurën e defiskalizimit, zbritje të taksave që ne ia ndjekim. Në qoftë se pensioni atje ju taksohet dhe shqiptarët jetonin atje është tjetër gjë, por nëse shqiptarët kthehen këtu atëherë ndjekin të njëjtën procedurë. Heqin rezidencën që atje, vijnë këtu edhe ia bëjmë ne të gjitha procedurat pastaj që t’i zbritet taksimi”, tha Elmazi.

Në fund të intervistës, Elmazi dha edhe një mesazh për qytetarët: “Ajo që dua të them për qytetarët është që të jenë gati, të fillojnë me verifikimin e viteve që tani sepse koha është shumë e shkurtër, ka shumë fluks dhe do të ishte mirë që të nisin që tani me verifikimet e viteve që në momentin që marrëveshja të fillojë të jetë efektive, të jenë gati dhe të mos kenë vonesa në aplikimin e pensioneve sepse edhe e-Albania kërkon verifikim shumë të gjatë për shembull për ata që kanë vite para ’94 deri në 2012, por edhe INPS-i kërkon kohën e vetë për të verifikuar vitet kështu që është e rëndësishme t’i kenë të gjitha gjërat gati para se të fillojë marrëveshja”, përfundoi Elmazi.

Legjislacioni italian rregullon të ashtuquajturit “institute të patronatit”, që mbështesin qytetarët përmes shërbimeve sociale. ITAL – Instituti për Tutelën dhe Asistencën e Punëtorëve – është krijuar nga UIL (Unioni Italian i Punës), që prej 70 vjetësh vepron në Itali dhe jashtë saj në shërbim të personave: punëtorë, pensionistë, të rinj, të papunë, emigrantë, italianë në emigracion.

Veprimtaria e patronateve monitorohet nga Ministria e Punës në Itali e cila është edhe financuese ekskluzive e tyre. Janë rreth 1600 seli dhe pika kontakti ITAL, të shpërndara në territorin italian dhe në botë, në dispozicion të atyre që kanë nevojë për asistencë me qëllim që të përfitojnë nga të drejtat sociale dhe ato të punës. Shumë shqiptarë në Italisë asistohen çdo vit nga ITAL, krahas qytetarëve italianë dhe të huajve në përgjithësi. Nën siglën e UIM – Unioni i italianëve në Botë, ITAL ka çelur së fundmi edhe një prezencë në Shqipëri, UIM Albania.

Burimi: ATA

https://ata.gov.al/2025/05/04/marreveshja-e-pensioneve-itali-shqiperi-nis-zbatimin-ne-qershor-procedurat-qe-duhen-ndjekur/?amp=1

imageedit_2_9875407148

Marrëveshja e pensioneve pranë zbatimit, UIM Albania përcjell zhvillimet në televizion

Marrëveshja e pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë, pas fazës së parë më politike (me miratimin nga parlamentet përkatëse dhe botimin në fletoret zyrtare), ka hyrë tashmë në një fazë tjetër më teknike, që ka të bëjë me aspektet e zbatimit të saj.
Për të detajuar këto çështje dhe për ta bërë operative marrëveshjen e pensioneve, është firmosur pak ditë më parë një tjetër protokoll nga ministrja italiane e Punës dhe Politikave Sociale, Marina Calderone dhe zv/ministrja shqiptare e Ekonomisë, Olta Manjani.
Këto zhvillime që e sjellin më pranë vënien në zbatim të marrëveshjes për pensionet, UIM Albania i përcolli për publikun shqiptar përmes ekranit të televizionit A2CNN, ku përfaqësuesja jonë Tresjana Elmazi zhvilloi një bisedë në studio.

“Në këtë fazë jemi më afër se kurrë”, tha Elmazi, e pyetur nëse marrëveshja po bëhet një realitet i prekshëm për emigrantët shqiptarë. “Pas botimit në fletoren zyrtare, firmosja e këtij protokolli teknik po e çon marrëveshjen drejt konkretizimit të saj. Madje ka filluar edhe përcaktimi i procedurave që do të duhet të ndjekin qytetarët për të përfituar pensionin në sajë të marrëveshjes”.

Interesi i lartë i emigrantëve shqiptarë për këtë marrëveshje vihet re edhe në kontaktet e përditshme pranë zyrës së UIM Albania jo vetëm nga bashkatdhetarë që jetojnë në Itali por edhe ata që janë rikthyer. “Ka shumë prej tyre që jetojnë mes dy vendeve dhe duan të dinë më tepër, të sqarohen mbi aspektin praktik të kësaj marrëveshje”, pohoi përfaqësuesja e UIM Albania, Tresjana Elmazi.

KUSHTET KRYESORE
Teksa detajet teknike të zbatimit të saj ende nuk janë publikuar nga autoritetet, UIM Albania shfrytëzoi këtë komunikim televiziv (por edhe përmes kanaleve të saj në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram) për të shpjeguar disa prej kushteve kryesore që duhen përmbushur, siç janë mosha dhe vitet e kontributeve.
“Në Itali, mosha e daljes në pension është 67 vjeç si për burrat ashtu edhe për gratë. Ndërsa në Shqipëri është 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 10 muaj për gratë (për vitin 2025). Për sa i përket kontributeve, duhen përmbushur një numër minimal vitesh për të përfituar nga marrëveshja, që në Itali është 20 vite ndërsa në Shqipëri është 15 vite”, shpjegoi Elmazi.

AKUMULIMI I VITEVE TË KONTRIBUTEVE
Risi e marrëveshjes së pensioneve është mundësia për të bashkuar vitet e punës që mund të ishin ndarë mes dy shteteve, me qëllim për të përfituar një pension sa më të plotë. “Bashkohen vitet e punës që ke pasur si në Shqipëri edhe në Itali”, theksoi Elmazi, duke marrë edhe një shembull konkret.
“Nëse deri dje një person kishte 7 vite në Itali, nuk mund të merrte pension sepse minimumi i kontributeve të nevojshme atje është 20 vite. Por nëse i bashkon me 13 vite pune që mund të ketë në Shqipëri, atëherë arrin atë pragun për të përfituar pension”, shpjegoi përfaqësuesja e UIM Albania.

KUR NIS ZBATIMI DHE CFARË MUND TË BËNI NDËRKOHË
Teksa pritet që përgatitja teknike të mund të marrë edhe disa javë kohë, zbatimi i marrëveshjes mendohet se mund të nisë në muajin qershor. UIM Albania, si pjesë e patronatit ITAL-UIL, ka akses në sistemin INPS në Itali dhe mund t’ju ndihmojë me aplikimet direkte pranë autoriteteve italiane.
Gjithashtu, falë një marrëveshje të rinovuar bashkëpunimi me ISSH në Shqipëri, zyra jonë në Tiranë dhe sportelet në Durrës, Vlorë e Lezhë, mund të shfrytëzohen jo vetëm për të marrë informacion direkt, por edhe për të krijuar një pasqyrë të saktë të panoramës kontributive të çdo qytetari si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.
Përveç këtyre bashkëpunimeve, stafi i UIM Albania ka fatin të trajnohet mbi këtë marrëveshje nga disa prej autorëve të saj, si Geri Ballo, Giovanni Lattanzi dhe senatori Italian Tommaso Nannicini.