Komuniteti italo-shqiptar në vendin tonë vazhdon të jetë në rritje, një realitet që tashmë po tërheq vëmendjen e institucioneve italiane.
Në këtë kontekst, një delegacion i përbashkët i ITAL UIL, me presidentin Giuliano Zignani dhe i UIL Pensionati, me sekretarin e përgjithshëm dhe sindikalistin e njohur Carmelo Barbagallo, zhvilloi një vizitë disa-ditore në Shqipëri. ITAL UIL numëron 70 vite aktivitet dhe 1.500 zyra në Itali, ku çdo vit asiston dhjetëra mijëra shtetas shqiptarë. UIL Pensionati përfaqëson 600 mijë pensionistë të regjistruar.
Miqtë e ardhur nga Italia kishin një axhendë të ngjeshur takimesh, mes tyre një takim në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, znj. Ermonela Xhafa, me të cilën diskutuan mbi shërbimet që ITAL UIL dhe UIL Pensionati ofrojnë për shqiptarët, si në Itali ashtu edhe në 30 vende të tjera në botë, përfshirë Tiranën, nëpërmjet zyrës së UIM Albania.
Një tjetër takim me rëndësi strategjike ishte ai me Confindustria Albania, ku u trajtuan marrëdhëniet industriale dhe ndryshimet në tregun e punës, pa lënë pas dore dimensionin social. Qëllimi kryesor ishte identifikimi i praktikave pozitive për të ndërtuar strategji të përbashkëta që i përgjigjen sfidave të një ekonomie në transformim.
Përveç bisedimeve në nivel të lartë me përfaqësinë diplomatike italiane në Shqipëri, delegacioni i kryesuar nga Giuliano Zignani dhe Carmelo Barbagallo i kushtoi një ditë të vizitës së tij edhe takimeve me qytetarë italianë në dy qytete simbol të këtij kundër-emigracioni: Durrës dhe Vlorë, për të kuptuar nga afër nevojat e atyre që kanë zgjedhur të kalojnë Adriatikun për të jetuar në mënyrë të qëndrueshme në Shqipëri.
ITAL UIL dhe UIL Pensionati, përmes zyrës së tyre në Shqipëri (UIM Albania), shprehën gatishmërinë për të shërbyer si urë lidhëse mes komunitetit italo-shqiptar dhe institucioneve lokale, siç ishte rasti i takimit me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, dhe me Nënkryetarin e Bashkisë së Durrësit, z. Gentian Kallmi.
“Me këtë udhëtim – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i UIL Pensionati, Carmelo Barbagallo – kemi ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të forcuar angazhimin tonë ndaj pensionistëve italianë jashtë vendit, por edhe ndaj shumë punëtorëve dhe pensionistëve shqiptarë që kanë kontribuar me punën e tyre në zhvillimin e Italisë. Ne duam që të njihen të drejtat e tyre për përfitime pensioni dhe t’iu lehtësohet aksesimi i këtyre të drejtave. UIL Pensionati, ITAL UIL dhe UIM Albania do të jenë gjithmonë pranë atyre që kanë punuar gjithë jetën dhe meritojnë respekt e dinjitet, përtej kufijve.”
Vizita e delegacionit përbën kulmimin e një pune intensive të nisur me takime të tjera që prej dhjetorit të kaluar, kur përfaqësuesit e ITAL dhe UIL u pritën në Tiranë nga ministri Taulant Balla dhe përfaqësues të opozitës, ndërsa u firmos edhe një marrëveshje e re bashkëpunimi me Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH).