imageedit_2_9875407148

Marrëveshja e pensioneve pranë zbatimit, UIM Albania përcjell zhvillimet në televizion

Marrëveshja e pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë, pas fazës së parë më politike (me miratimin nga parlamentet përkatëse dhe botimin në fletoret zyrtare), ka hyrë tashmë në një fazë tjetër më teknike, që ka të bëjë me aspektet e zbatimit të saj.
Për të detajuar këto çështje dhe për ta bërë operative marrëveshjen e pensioneve, është firmosur pak ditë më parë një tjetër protokoll nga ministrja italiane e Punës dhe Politikave Sociale, Marina Calderone dhe zv/ministrja shqiptare e Ekonomisë, Olta Manjani.
Këto zhvillime që e sjellin më pranë vënien në zbatim të marrëveshjes për pensionet, UIM Albania i përcolli për publikun shqiptar përmes ekranit të televizionit A2CNN, ku përfaqësuesja jonë Tresjana Elmazi zhvilloi një bisedë në studio.

“Në këtë fazë jemi më afër se kurrë”, tha Elmazi, e pyetur nëse marrëveshja po bëhet një realitet i prekshëm për emigrantët shqiptarë. “Pas botimit në fletoren zyrtare, firmosja e këtij protokolli teknik po e çon marrëveshjen drejt konkretizimit të saj. Madje ka filluar edhe përcaktimi i procedurave që do të duhet të ndjekin qytetarët për të përfituar pensionin në sajë të marrëveshjes”.

Interesi i lartë i emigrantëve shqiptarë për këtë marrëveshje vihet re edhe në kontaktet e përditshme pranë zyrës së UIM Albania jo vetëm nga bashkatdhetarë që jetojnë në Itali por edhe ata që janë rikthyer. “Ka shumë prej tyre që jetojnë mes dy vendeve dhe duan të dinë më tepër, të sqarohen mbi aspektin praktik të kësaj marrëveshje”, pohoi përfaqësuesja e UIM Albania, Tresjana Elmazi.

KUSHTET KRYESORE
Teksa detajet teknike të zbatimit të saj ende nuk janë publikuar nga autoritetet, UIM Albania shfrytëzoi këtë komunikim televiziv (por edhe përmes kanaleve të saj në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram) për të shpjeguar disa prej kushteve kryesore që duhen përmbushur, siç janë mosha dhe vitet e kontributeve.
“Në Itali, mosha e daljes në pension është 67 vjeç si për burrat ashtu edhe për gratë. Ndërsa në Shqipëri është 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 10 muaj për gratë (për vitin 2025). Për sa i përket kontributeve, duhen përmbushur një numër minimal vitesh për të përfituar nga marrëveshja, që në Itali është 20 vite ndërsa në Shqipëri është 15 vite”, shpjegoi Elmazi.

AKUMULIMI I VITEVE TË KONTRIBUTEVE
Risi e marrëveshjes së pensioneve është mundësia për të bashkuar vitet e punës që mund të ishin ndarë mes dy shteteve, me qëllim për të përfituar një pension sa më të plotë. “Bashkohen vitet e punës që ke pasur si në Shqipëri edhe në Itali”, theksoi Elmazi, duke marrë edhe një shembull konkret.
“Nëse deri dje një person kishte 7 vite në Itali, nuk mund të merrte pension sepse minimumi i kontributeve të nevojshme atje është 20 vite. Por nëse i bashkon me 13 vite pune që mund të ketë në Shqipëri, atëherë arrin atë pragun për të përfituar pension”, shpjegoi përfaqësuesja e UIM Albania.

KUR NIS ZBATIMI DHE CFARË MUND TË BËNI NDËRKOHË
Teksa pritet që përgatitja teknike të mund të marrë edhe disa javë kohë, zbatimi i marrëveshjes mendohet se mund të nisë në muajin qershor. UIM Albania, si pjesë e patronatit ITAL-UIL, ka akses në sistemin INPS në Itali dhe mund t’ju ndihmojë me aplikimet direkte pranë autoriteteve italiane.
Gjithashtu, falë një marrëveshje të rinovuar bashkëpunimi me ISSH në Shqipëri, zyra jonë në Tiranë dhe sportelet në Durrës, Vlorë e Lezhë, mund të shfrytëzohen jo vetëm për të marrë informacion direkt, por edhe për të krijuar një pasqyrë të saktë të panoramës kontributive të çdo qytetari si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.
Përveç këtyre bashkëpunimeve, stafi i UIM Albania ka fatin të trajnohet mbi këtë marrëveshje nga disa prej autorëve të saj, si Geri Ballo, Giovanni Lattanzi dhe senatori Italian Tommaso Nannicini.

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *