174619810990391276

1 Maji në Shqipëri, mes indiferencës dhe vdekjeve në punë

Kjo javë shënoi dy data të rëndësishme për punëtorët në Shqipëri. 28 Prilli si Dita Botërore e Sigurisë në Punë, na kujton realitetin e hidhur shqiptar ku ende regjistrohen incidente që kushtojnë jetën. Ndërsa 1 Maji është një reflektim për të drejtat e tyre, shpesh ende të nëpërkëmbura.

1 MAJI NË SHQIPËRI – NJË HISTORI REBELIMI
Në shumë vende të botës, 1 Maji përkujtohet si Dita e Punëtorëve, në referencë ndaj protestave të forta të vitit 1886 në SHBA, në kërkim të më shumë të drejtave, me jo më shumë se 8 orë punë në ditë.

Edhe në Shqipëri fillesat e 1 Majit lidhen me rebelimin e punëtorëve. Shkodra përsëri dallon. Ishte viti 1905, teksa Shqipëria ende nuk kishte shpallur pavarësinë nga Perandoria Osmane, kur një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan grevë, shoqëruar me një manifestim në rrugët e Shkodrës. Ngjarja konsiderohet si zanafilla e një lëvizje të madhe, me fjalime dhe diskutime mbi të drejtat e punëtorëve.

Sipas autoriteteve, Shqipëria regjistron sot 1.3 milionë të punësuar, por data duket se ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe në vend nuk u shënua asnjë manifestim domethënës për të tërhequr vëmendjen drejt të drejtave të punëtorëve, që pavarësisht ligjeve në fuqi, vijojnë të injorohen.
Të kapur nga ethet e fushatës zgjedhore, drejtuesit e institucioneve më të larta u mjaftuan me ndonjë status në rrjetet sociale. Një realitet ky, që dëshmon edhe vlerën e humbur të sindikatave në Shqipëri, në sytë e opinionit publik vendas, që i percepton më shumë në shërbim të politikës sesa të interesave të punëtorëve.

 

SIGURIA NË PUNË DHE REALITETI I HIDHUR SHQIPTAR

28 Prilli shënoi Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Vendin e Punës, ku në realitetin shqiptar shifrat tregojnë se problemi mbetet i mprehtë.
Shifrat zyrtare të publikuara nga INSTAT për vitin 2024, flasin për 177 aksidente në vendin e punës, bazuar në raportimet e Inspektoratit Shtetëror të Punës. Nga këto raste, 33 kanë rezultuar fatale me humbje të jetës.

NJOLLAT E ZEZA
Të dhënat tregojnë se dy sektorët më problematikë janë përsëri ndërtimi dhe minierat. Në ndërtim regjistrohen 24% e aksidenteve, gjë që shpjegohet edhe me vrullin që po njeh ky sektor gjatë viteve të fundit, me mbi 1000 leje ndërtimi të lëshuara në vitin 2024.
Pak më i ulët numri i aksidenteve në miniera, me 18% të rasteve, që gjithsesi e bëjnë sektorin të renditet ndër më rrezikshmit për jetën dhe shëndetin e punonjësve.

RRITET NDËRGJEGJËSIMI
Mes notave pozitive të panoramës që përcjell viti i kaluar, vihet re një ndërgjegjësim më i lartë në deklarimin e ngjarjeve, me rreth 90% të aksidenteve që rezulton se janë raportuar nga punëdhënësit.

Në vitin 2024, autoritetet kanë rritur me 22% numrin e inspektimeve krahasuar me një vit më parë, ku mbi 190 mijë vende punë në 9860 subjekte u janë nënshtruar kontrolleve mbi konformitetin me rregullat për sigurinë në punë.

Nga ana tjetër, edhe subjektet duket se po ndërgjegjësohen më shumë, me një rritje të numrit të atyre që disponojnë “Dokument Vlerësim Risku”, kanë emëruar Koordinatorin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë si dhe angazhuar Mjekun e Ndërmarrjes, apo kanë krijuar Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Tag: Nessun tag

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *